Martesat Fiktive
Në të ashtuquajturën martesë fiktive, e cila gjen parashikim në nenin 36 të Kodit të Familjes, bashkëshortët e ardhshëm lidhin martesë pa patur qëllim të krijojnë një raport dhe jetë të përbashkët bashkëshortore por vetëm për të përfituar nga disa efekte apo pasoja që derivojnë nga lidhja e martesës. Si kusht i domosdoshëm në këtë rast është ekzistenca e vullnetit të të dy personave që lidhin martesë, vullnet që duhet të ketë ekzistuar përpara lidhjes së saj, për të mos ushtruar të drejtat dhë mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga martesa. Palët pra, janë marrë vesh që të deklarohen fiktivisht si burrë dhe grua por në të vërtetë ata nuk e duan këtë pasojë pasi nuk kanë asnjë qëllim të bashkëjetojnë si burrë dhe grua si edhe të krijojnë atë bashkësi shpirtërore dhe materiale që karakterizon jetën martesore.
Disa nga elementët kryesorë dallues të një martese të tillë në praktikë janë:
· mungesa e bashkëjetesës;
· bashkëjetëse e thjeshtë (pra jo si burrë e grua) për një apo disa periudha të shkurtra;
· mungesa e komunikimit ndërmjet bashkëshortëve;
· mungesa e marrëdhënieve intime, ndihmës apo mbështjetjes morale apo materiale;
· mosrespektimi i detyrimit për besnikëri dhe ekzistenca e lidhjeve të tjera;
· mosnjohja e fakteve të dukshme nga jeta e një bashkëshorti;
· mungesa e gjërave të përbashkëta, një buxhet i përbashkët;
· mosnjohja apo edhe mungesa e lidhjeve me familjarët apo rrethin shoqëror të bashkëshortit;
Kryesisht kjo lloj marrëdhënie krijohet për qëllime të ndryshme përfitimi, të tilla si përfitim dokumentacioni (psh. përfitim leje qëndrimi, nënshtetësie, etj), ndryshim mbiemri me qëllim për t'iu shmangur drejtësisë, përfitime nga trashëgimia, shmangie e detyrimeve fiskale, etj. Duke qenë se në këtë marrëdhënie mungon vullneti i bashkëshortëve për të krijuar efektet tipike të një martese, ky veprim është i vesuar dhe për rrjedhojë kjo përbën shkak për pavlefshmërinë e kësaj martese. Të drejtën e padisë në këtë rast e kanë secili nga bashkëshortët, prokurori dhe kushdo tjetër që ka interes të drejpërdrejtë të ligjshëm. Kjo padi mund të ngrihet edhe pas zgjidhjes së martesës. Si rregull, ligji parashikon që kjo padi nuk parashkruhet, përveç në rastet e parashikuara në nenet 44 dhe 46 të Kodit të Familjes. Gjykojmë që ligji paraqitet i paqartë në rastet përjashtimore që ai referon si raste që mund të çojnë në parashkrimin e padisë. Nëse i bëjmë referencë parashikimeve në nenin 44, vërejmë se për kanosjen, lajthimin apo martesat pa pëlqim të lirë, padia parashkruhet kur kanë kaluar 6 muaj nga pushimi i kanosjes, zbulimi i lajthimit apo fitimi i lirisë por ne çdo rast jo më tepër se 3 vjet nga lidhja e martesës. Gjithashtu padia parashkruhet kur ka pasur një bashkëjetese të vazhdueshme për 6 muaj që nga çasti që bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë apo ka marrë dijeni për lajthimin. Ndërkohë në nenin 46 parashikohet se e drejta e padisë parashkruhet me kalimin e afatit 6 mujor nga shërimi i bashkëshortit që vuan nga sëmundje e rëndë psikike ose me zhvillim të metë mendor.
Martesa fiktive propozohet në të gjitha rastet ( 99 %) nga burri ose “bashkëshorti” i ardhshëm, është ai që ofron dhe pagesën në këmbim të aktit ligjor të lidhjes së martesës. Këtu mbaron çfardo lloj detyrimi tjetër nga ana e tij. Por pikërisht këtu fillojnë detyrimet që nëse do të vazhdojë jetën normale do i duhet t’i zgjidhë e vetme gruaja, ose “bashkëshortja”. Është ajo që duhet të fillojë procedurën e zgjidhjes së martesës, të sigurojë shërbimin e avokatit, në rastin me fëmijë ( me bashkëjetues) edhe shërbimin e psikologut, fëmija i lindur jasht kësaj martese do duhet të regjistrohet me baba të prezumuar, që do të thotë se duhet të bëhet kundërshtimi i atësisë që kërkon analizë ADN, e shpenzime të tjera gjyqësore dhe noteriale, etj. Një grua në kushte vulnerabiliteti nuk mund të ndjekë dhe përballojë këto veprime as financiarisht as edhe administrativisht pa asistencën e profesionistëve.
Konkluzione
- Martesat fiktive duhen konsideruar fenomen negativ për interesat publike si në në pikëpamje sociale ashtu edhe ekonomike;
- Fenomeni i martesave fiktive ka njohur rritje të numrit sidomos për ta përdorur atë si një mekanizëm të ndryshimit të të dhënave të identitetit në regjistrimin e gjendjes civile;
- Pasojat e një martese fiktive lidhen me rritjen e ndjeshme të zgjidhjeve të martesave ( numrit të divorceve) duke ndikuar në ndjeshmërinë publike për rëndësinë e martesës si një marrëdhënie e rëndësishme për forcimin e ndjenjës së familjes dhe rolit të saj në shoqëri;
- Pasoja të tjera negative nga lidhja e martesave fiktive vlerësohen edhe, mundësia e fshehjes apo shmangies së individëve të inkriminuar nga drejtësia, dëmtimi i interesave dhe të drejtave të grave që përfshihen në to, interesave të fëmijëve që lindin gjatë kohëzgjatjes së këtyre martesave, rritja në mënyrë artificiale e ngarkesës së gjykatave në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të tilla si divorci, njohja e atësisë, regjistrimi i lindjes së fëmijës, etj.