Paaftësi në punë

Ndihmë ekonomike, përkrahje sociale dhe sigurime shoqërore

“Invalid pune” është individi që është deklaruar i tillë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfiton nga ligji nr.  7889, datë 14. 12. 1994 “Për statusin e invalidëve”, i ndryshuar.

Shoqëria dhe shteti marrin në mbrojtje invalidët, në mënyrë që ata të marrin pjesë në jetën shoqërore njëlloj si të tjerët, t’u sigurohet niveli ekonomik i nevojshëm për të jetuar në mënyrë dinjitoze, të kenë kushte banimi, të shfrytëzojnë mjedisin e jashtëm, të kenë një punë të përshtatshme, si dhe t’u krijohen mundësi normale për kurim, arsimim dhe veprimtari çlodhëse e argëtuese.

Kush  përfiton statusin e invalidit të punës?

Statusin e invalidit të punës e përfiton:

  • personi i aksidentuar ne pune, apo
  • i sëmure nga sëmundje profesionale, apo
  • sëmundje te ndryshme, dhe
  • që përfiton pension invaliditeti nga Sistemi i Sigurimeve Shoqërore, sipas ligjit nr. 4171, date 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore ne Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), ligji nr. 4976, date 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve te kooperativave bujqësore” (i ndryshuar) dhe ligji nr. 7703, date 8 9 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore ne Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar)”.

Invalidët e punës, përfitojnë sipas ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994 “Për Statusin e Invalidit” të ndryshuar, sipas Ligjit nr. 7703, “Mbi sigurimet shoqërore” të ndryshuar dhe ligjit nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. 

Përfitimet nga ligji 7889 “Mbi statusin e invalidit të punës” konsistojnë në:

  • kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike;
  • invalidët që kanë mjete lëvizëse marrin 7000 lekë për rimbursim të karburantit;
  • rimbursim të trajtimit mjekësor 100 % për invalidët e plotë dhe 50% për invalidët e pjesshëm;
  • përjashtim nga taksat direkte dhe doganore për pajisje të ndryshme rehabilituese, duke përfshirë automjetet;
  • transport publik falas, ndërsa transporti jopublik me 50% të vlerës; etj.

Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Mbi sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” trajton me pensione invaliditeti personat që janë bërë të paaftë plotësisht ose pjesërisht, gjatë periudhës së sigurimit, për shkak të një aksidenti në punë, sëmundjeve profesionale ose të përgjithshme.

Pensione invaliditeti, Llojet e tyre janë:

  • Invaliditeti i pjesshëm jepet kur personi i siguruar ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit (neni 35 i ligjit për sigurimet) dhe humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera në kushte të veçanta, sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-së.  Në bazë të vendimeve të KMCAP, personi me invaliditet të pjesshëm mund të vlerësohet në tre mënyra kryesore: - 6 orë punë në profesionin e vet, ku më pas 2 orë punë mbulohen nga ana e ISSH; - 8 orë punë të lehta në një profesion/pozicion tjetër të punës; - ¾ e normës, vlerësim ky që vlen për mësuesit, duke qenë se nuk kanë një orar të caktuar, por orët e punës i caktohen nga shkolla në varësi të faktorëve të ndryshëm, ku ¼ mbulohet sërish nga ISSH.
  • Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë; Ky lloj pensioni përfitohet kur personi aplikant ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, është bërë i paaftë për çdo lloj veprimtarie ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (ligji thekson këtu edhe përfshirjen e verbërisë si dëmtim fizik).
  • Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari. Ky lloj pensioni përfitohet në bazë të të njëjtave kushte dhe kritere sikurse dhe pensioni i plotë i invaliditetit, me ndryshimin e nevojës për përkujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër dhe për këtë qëllim i jepet invalidit të plotë një pagesë shtesë prej 15% të bazës së vlerësueshme. Nevoja për përkujdesje përcaktohet nga KMCAP.

CFARE DOKUMENTE DUHET PËR TË PËRFITUARA PENSIONIN E INVALIDITETI?

Individi bën kërkesën për pension invaliditeti pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Kërkesa është një formular i gatshëm, i cili plotësohet nga vetë personi në tre kopje: një për individin, një i bashkëngjitet dosjes me dokumentacionin e kërkuar, një qëndron në ALSSH për një vit.

Së bashku me kërkesën, individët duhet të dorëzojnë një dosje me dokumente, të cilat listohen si me poshtë:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

  • Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
  • Certifikatë e gjendjes familjare;
  • Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
  • Dy copë fotografi.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

  • Libreza e punës;
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
  • Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme);
  • Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
  • Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
  • Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna);
  • Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë;
  • Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës;

Këto dokumente, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

c) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
  • Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës;
  • Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

d) Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

  • Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër (spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP;
  • Specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare;
  • Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;
  • Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;
  • Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

Kur aplikanti e ka gati dosjen me të gjitha dokumentacionet e mësipërme, i dorëzon ato pranë ALSSH. Në fund të së njëjtës ditë të dorëzimit të dokumentacionit të plotë, dosja dorëzohet te përgjegjësi i ALSSH, i cili regjistron kërkesën dhe ia dërgon DRSSH. DRSSH duhet të kryejë dhe verifikimet përsa i përket vjetërsisë në punë, të deklaruar nga vetë individi në dosjen e tij. Në këtë moment fillon dhe vlerësimi i diagnozës, e cila kualifikohet për paraqitje në KMCAP ose jo nga mjeku i ekspertizës, i cili, pasi ka marrë vendimin pozitiv për shqyrtimin e dosjes, mund të vendosë për datën e paraqitjes në KMCAP të individit.

Vendimi që merr KMCAP është dokumenti ligjor bazë, mbi të cilin fillojnë përllogaritjet për dhënien e pensionit të invaliditetit.