Bisedo direkt rreth kesaj çështje

Shqyrtimi i kërkesës për ndihmë juridike dytësore nga gjykata

Neni: 
22

Gjykata shqyrton kërkesën për ndihmën juridike dytësore në përputhje me parashikimet në legjislacionin procedural dhe, për aq sa është e mundur, me dispozitat e këtij ligji. 
Vendimi në lidhje me kërkesën për ndihmë juridike dytësore merret nga gjykata kompetente:

brenda 5 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, kur kërkesa paraqitet përpara fillimit të procesit gjyqësor;
gjatë veprimeve paraprake ose në seancën përgatitore përpara se të caktohet seanca gjyqësore, kur  kërkesa për ndihmë juridike është paraqitur bashkë me kërkesë-padinë;
sipas parashikimeve të legjislacionit procedural dhe dispozitave të këtij ligji, kur kërkesa paraqitet  gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në rastet kur kërkuesi deklaron pamundësinë për sigurimin e dokumentacionit, si dhe në çdo rast tjetër kur gjykata çmon se korrigjimi ose plotësimi i kërkesës mund të bëhet shkak për vonesa, të cilat cenojnë thelbin e të drejtave të kërkuesit, gjykata mund të urdhërojë dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm nga organet e administratës shtetërore që e disponojnë atë. Në këto raste kërkesa për ndihmë juridike dytësore quhet e paraqitur në përfundimin e afatit të vendosur nga gjykata për paraqitjen e dokumentacionit plotësues nga organet e administratës shtetërore.  
Gjykata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe parashikimet në legjislacionin procedural, pas shqyrtimit të kërkesës vendos:

  • pranimin e kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore;
  • rrëzimin e kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore.

5.  Kërkesa për ndihmë juridike dytësore rrëzohet vetëm në rastet kur:  

nuk përmbushen kushtet e parashikuara në nenet 11 ose 12 të këtij ligji; 
është dukshëm abuzive ose haptazi  e pabazuar.

Vendimi për pranimin ose rrëzimin e  kërkesës për ndihmë juridike dytësore jepet i arsyetuar.  
Kundër vendimit të gjykatës për rrëzimin e kërkesës për ndihmën juridike dytësore mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi i vendimit nuk pengon vazhdimin e shqyrtimit të çështjes. Ankimi bëhet sipas  formularit tip të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, i cili i jepet kërkuesit së bashku me vendimin për rrëzimin e kërkesës.
Gjykata e apelit shqyrton çështjen në dhomë këshillimi dhe merr vendim brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi nuk lejohet rekurs në Gjykatë të Lartë.
Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mund të ankimojë vendimin e gjykatës për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, nëse pretendon se kjo kërkesë është dukshëm abuzive ose haptazi e pabazuar. Në këtë rast zbatohen afatet dhe rregullat për ankimin e vendimeve përfundimtare, sipas dispozitave të legjislacionit procedural. Kundër vendimit të gjykatës së apelit nuk lejohet rekurs në Gjykatë të Lartë.

Kjo është një dispzitë me natyrë proceduriale, e cila përcakton rregullat e shqyrtimit të kërkesës për ndihmë juridike dytësore nga gjykata dhe vendimmarrjen përkatëse për këtë kërkesë.

Vendimi në lidhje me kërkesën për ndihmë juridike dytësore merret nga gjykata në këto tre raste dhe afate:

  • brenda 5 ditëve kur kërkesa paraqitet përpara fillimit të procesit gjyqësor;
  • gjatë veprimeve paraprake ose në seancën përgatitore para se të caktohet seanca gjyqësore, kur  kërkesa për ndihmë juridike është paraqitur bashkë me kërkesë-padinë;
  • sipas parashikimeve të legjislacionit procedural, pra në formën e një kërkesë të vecantë kur kërkesa paraqitet  gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Në çështjen Croissant v Germany, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se: “Duke marrë në konsideratë vendimet e fundit të Kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shtutgartit dhe vendimin e gjykates së shkallës së parë, nuk ka dyshim se është ankimuesi që duhet të paraqesë se ai nuk ka mundësitë paguajë pagesën e plotë, dhe atëherë legjisacioni përkatëse dhe praktika duhet të zbatohen. Në këtë aspekt Gjykata konsideron se është e pranueshme sipas Konventës, se barra e provës për të provuar mungesën e mjeteve të mjaftueshme duhet të jetë tek personi që bën kërkesën.”

Nga ana tjetër, në çështjen Pakelli v Gjermanisë, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar gjithashtu edhe rolin e gjykatës dhe thellësinë e shqyrtimit gjyqësor në rast se para saj paraqitet një kërkesë për ndihme juridike dytësore. Sipas Gjykatës së Strasburgut “nuk është e nevojshme të provohet “përtej çdo dyshimi” se aplikanti është i varfër. Mjafton që të provohet “mungesa e mjeteve” ne “mungesë të të dhënave të tjera që të vërtetojnë të kundërtën”.

Kundër vendimit të gjykatës për rrëzimin e kërkesës për ndihmën juridike dytësore mund të bëhet ankim i veçantë dhe ankimi i vendimit nuk pengon vazhdimin e shqyrtimit të çështjes. Gjykata e Apelit shqyrton çështjen në dhomë këshillimi dhe merr vendim brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Ndaj këtij vendimi nuk lejohet të bëhet rekurs në Gjykatë të Lartë.

Në rast se Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën për ndihmë juridike dytësore të paraqitur para saj, atëherë ndaj këtij vendimi nuk mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë, por mund të bëhet rekurs, së bashku me vendimin përfundimar të Gjykatës së Apelit.

Sipas pikës 9 të këtij neni Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mund të ankimojë vendimin e gjykatës për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, nëse pretendon se kërkesa e pranuar nga gjykata është dukshëm abuzive ose haptazi e pabazuar. Nga formulimi i kësaj dispozitë rezulton se Drejtoria mund të ankimojë vetëm vendimin e gjykatës së shkallës parë që ka miratuar kërkesën për ndihmën jurudke dytësore, por jo vendimin e Gjykatës së Apelit apo të Gjykatës së Lartë kur para saj paraqiten kërkesa për ndihmë juridike dytësore. Nga ana tjetër, mbetet të shihet zbatimi i kësaj dispozite në praktikë sepse Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë, nuk është palë në procesin gjyqësor që zhvillohet për miratimin ose jo të kërkesës së paraqitur. Ajo nuk është as në cilësinë e personit të tretë në këtë gjykim, ndaj në kuptim të legjislacionit procedurial do të shihet në praktikë dhe në jurisprudencë se si do të zbatohet pika 9 e këtij neni.